Secondary Adv

Kompensimi i naftës ende pa u disbursuar, transporti publik paralajmëron reduktim të mjeteve

Operatorët e transportit publik kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për disbursimin e kompensimit prej 50 lekësh për litër karburant për muajt mars, prill dhe maj 2026.

Dy shoqatat e transportit paralajmërojnë se vonesat e pagesave dhe çmimet e larta të karburantit po krijojnë probleme likuiditeti dhe mund t'i detyrojnë kompanitë të reduktojnë numrin e mjeteve në qarkullim.


Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban u janë drejtuar me një letër ministrive të Financave, të Ekonomisë, Infrastrukturës dhe Energjetikës, Pushtetit Vendor dhe Bashkisë Tiranë, duke ngritur shqetësimin se, pavarësisht plotësimit të dokumentacionit, operatorët ende nuk kanë përfituar masën financiare të kompensimit të naftës.


Vendimi i miratuar më herët nga qeveria parashikon kompensimin e operatorëve të transportit publik në masën 50 lekë për litër karburant, për sasinë e konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026.


Në letër theksohet se operatorët kanë përmbushur detyrimet që lidhen me dokumentimin e aktivitetit të transportit, sasitë e karburantit të konsumuar dhe elementet e tjera të kërkuara për përfitimin e kompensimit. Megjithatë, pavarësisht përmbushjes së procedurave dhe miratimit të masës me vendim të Këshillit të Ministrave, kompensimi për të tre muajt ende nuk është disbursuar.


“Kjo situatë po krijon vështirësi të konsiderueshme në administrimin financiar të operatorëve, të cilët, në pritje të zbatimit të vendimit dhe disbursimit të kompensimit, kanë vijuar të përballojnë me burimet e tyre financiare kostot e aktivitetit, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit të transportit publik për qytetarët”, theksohet në letër.


Operatorët kërkojnë vijimin e mbështetjes edhe pas muajit maj


Sipas operatorëve, çmimi i karburantit vijon të qëndrojë në nivele të krahasueshme me ato të muajve për të cilët u miratua kompensimi, duke ruajtur të njëjtën barrë financiare mbi kompanitë e transportit.


Shoqatat nënvizojnë se operatorët po përballen njëkohësisht me dy problematika: kompensimi i miratuar për muajt mars, prill dhe maj 2026 nuk është disbursuar ende, ndërsa çmimet e karburantit vazhdojnë të mbeten të larta edhe pas periudhës së mbuluar nga vendimi i qeverisë.


“Për rrjedhojë, operatorët janë duke u përballur me një mungesë të vazhdueshme likuiditeti dhe me rritje të kostove operative, duke cenuar drejtpërdrejt mundësinë për të mbajtur në qarkullim të gjithë flotën e mjeteve të nevojshme për realizimin normal të shërbimit publik.”


Përveç disbursimit të menjëhershëm të shumës së miratuar për muajt mars, prill dhe maj, dy shoqatat kërkojnë që skema e mbështetjes financiare të vijojë edhe pas muajit maj 2026, për sa kohë që çmimet e karburantit dhe kushtet ekonomike që justifikuan ndërhyrjen e qeverisë vazhdojnë të jenë të pranishme.


Shoqatat kërkojnë gjithashtu informacion zyrtar mbi fazën në të cilën ndodhet procesi i kompensimit, arsyet e vonesës dhe një afat konkret për realizimin e pagesave.


Paralajmërohet reduktim i mjeteve në qarkullim


Në letër paralajmërohet se, në mungesë të një reagimi konkret dhe në kohë nga institucionet përgjegjëse, operatorët mund të detyrohen të rishikojnë kapacitetet e tyre operative dhe numrin e mjeteve të transportit publik që nxjerrin në qarkullim.


“Një masë e tillë nuk përbën zgjedhjen e dëshiruar të operatorëve dhe as të shoqatave, pasi do të ndikonte drejtpërdrejt në frekuencën dhe kapacitetin e shërbimit të transportit publik.”


Sipas shoqatave, në mungesë të mbështetjes së miratuar dhe përballë kostove të larta të karburantit, operatorët nuk mund të përballojnë në mënyrë të pakufizuar me burimet e tyre financiare diferencën e kostove që cenon qëndrueshmërinë ekonomike të aktivitetit.


“Për këtë arsye, kërkojmë ndërhyrjen tuaj urgjente për realizimin e kompensimit tashmë të miratuar për muajt mars, prill dhe maj 2026, ashtu edhe për marrjen e një vendimi mbi vijimin e mbështetjes financiare për periudhën pasuese, për sa kohë që vazhdojnë të ekzistojnë kushtet ekonomike dhe çmimet e karburantit që kanë shërbyer si bazë për miratimin e VKM-së nr. 341, datë 13.05.2026.”


Shoqatat theksojnë rëndësinë sociale dhe ekonomike të transportit publik dhe ndikimin që një reduktim i kapaciteteve do të kishte te qytetarët, duke kërkuar që çështja të trajtohet me prioritet dhe institucionet përgjegjëse të japin një përgjigje konkrete.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat